Aboutpage.heroTitle.subTitle
Raportimi i institucioneve të pavarura në Kuvendin e Shqipërisë
Raportimi i institucioneve të pavarura në Kuvendin e Shqipërisë është një element kyç i mbikëqyrjes parlamentare dhe i funksionimit demokratik të shtetit. Këto institucione, edhe pse të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre, raportojnë periodikisht para Kuvendit për të mundësuar transparencë, llogaridhënie dhe efikasitet në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese dhe ligjore.
Platforma ndërinstitucionale e monitorimit të institucioneve të pavarura është një instrument në shërbim të këtij procesi që synon të forcojë transparencën, përgjegjshmërinë dhe efikasitetin e raportimit të institucioneve të pavarura në Kuvend. Kjo platformë synon të lehtësojë (i) raportimin e institucioneve të pavarura, (ii) shqyrtimin e punës së tyre nga deputetët, (iii) pjesëmarrjen e publikut, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës në këtë proces, si dhe (iv) ndjekjen në kohë reale të zbatimit të rekomandimeve të Kuvendit si dhe rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
Qëllimet kryesore të platformës
1. Promovimi i transparencës
Të gjitha hapat e raportimit të institucioneve të pavarura përfshihen në platformë e cila është e aksesueshme edhe nga publiku.
2. Monitorimi i vazhdueshëm i performancës
Platforma mundëson ndjekjen në kohë reale të përmbushjes së rezolutave të Kuvendit.
3. Forcimi i përgjegjshmërisë
Krijimi i një mekanizmi ndërinstitucional ku institucionet e pavarura raportojnë për veprimet dhe rezultatet e tyre si dhe ndjekin zbatimin e rekomandimeve të tyre për ekzekutivin dhe pushtetin vendor.
4. Pjesëmarrja qytetare
Platforma ofron një dritare në të cilën gjenden të gjitha raportet e institucioneve të pavarura, rezolutat e Kuvendit, rekomandimet e institucioneve të pavarura si dhe niveli i përmbushjes së tyre.
Rezultatet e pritshme
- Fuqizimi i rolit të Kuvendit, si përfaqësues i vullnetit qytetar, në mbikëqyrjen e institucioneve të pavarura.
- Rritja e besimit publik në institucionet e pavarura dhe institucionet publike në tërësi.
- Përmirësimi i politikëbërjes në bazë të të dhënave dhe analizave objektive.
- Rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
Hapat e procesit të raportimit
Platforma ndërinstitucionale e monitorimit të institucioneve të pavarura mbulon të gjitha hapat e procesit të raportimit në Kuvend të cilat janë si vijon:
1. Dorëzimi i raportit vjetor
Çdo institucion i pavarur përgatit një raport vjetor mbi veprimtarinë e tij, sfidat, të dhënat statistikore, nivelin e përmbushjes së rekomandimeve dhe propozimet për përmirësim. Raporti dorëzohet zyrtarisht në Kuvend, në tremujorin e parë të vitit pasardhës.
2. Shqyrtimi në komisionin përgjegjës parlamentar
Raporti i dërgohet komisionit parlamentar përgjegjës, në varësi të fushës (p.sh. Komisioni për Çështjet Ligjore, Komisioni për Ekonominë, Komisioni për Mediat, etj.). Institucioni i pavarur ftohet në seancë dëgjimore në komision për të paraqitur raportin dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve.
3. Debati dhe miratimi në seancë plenare
Pas shqyrtimit në komision, raporti mund të çohet në seancë plenare, ku prezantohet para të gjithë deputetëve. Deputetët mund të ngrenë çështje, të kërkojnë sqarime dhe të japin rekomandime.
4. Rezolutata e Kuvendit
Për çdo institucion raportues, Kuvendi miraton rezoluta me rekomandime konkrete për vitin pasardhës. Këto rekomandime synojnë përmirësimin e punës së institucionit.
5. Ndjekja e zbatimit të rekomandimeve
Komisionet parlamentare përgjegjëse ndjekin zbatimin e rekomandimeve, përmes raportimeve të mëvonshme ose interpelancave të ndërmjetme.